Postimet e fundit :

Urrejtja, suksesi dhe fitimi marramendës i Facebook-ut



A e keni shikuar filmin “The Social Network”, i cili e tregon Mark Zuckerberg-un, themeluesin e Facebook-ut dhe e përcjell suksesin e tij që nga ditët studentore e deri te statusi i tij i deritanishëm si miliarderi më i ri në moshë në botë.
Filmi nuk e ka tepruar me përshtatjen e skenarit, por të shtynë të mendosh rreth fitimit të shpejtë, suksesit dhe padrejtësisë. Edhe pse nuk jam adhurues i madh i rrjetit në fjalë (pasi mendoj se shkel rrënjësisht privatësinë), më duhet të them se ky film në mua ka lënë përshtypje të madhe.
Po, jam i vetëdijshëm se filmi nuk është i ri, pasi është shfaqur vitin e kaluar dhe ka fituar disa çmime të rëndësishme, por kurrë nuk është vonë për një analizim të vogël të filmit.
Facebook-u sot është një vend kulti i internetit, me mbi 750 milionë anëtarë. Nëse këtë e krahasojmë me shifren prej 7 miliardë banorëve, bie se çdo i dhjeti banorë në botë, ka profil në Facebook. Siç thashë më herët, personalisht nuk e dua konceptin Facebook (mos të them se e urrej), sepse i habitë njerëzit, ua merr kohën e çmuar dhe nuk ofron asgjë të posaçme dhe konkrete.
Mirëpo, pavarësisht paragjykimeve të mia, e kam shikuar filmin rreth krijimit të Facebook-ut dhe jam i mendimit se Mark Zuckerberg është një gjeni i llojit të vet nga periudha moderne informuese e internetit.
Inovacioni (apo ndoshta vjedhja?)
Në fillim të filmit, Mark Zuckerberg tregohet si një gjeni informues i cili jeton dhe vepron para gjeneratës së tij. Pasoja e kësaj është se në aspektin shoqëror është jo-aktiv, ka vese të këqija dhe të jep përshtypjen e një personi me sjellje të pahijshme.
Në momentin e ndarjes nga e dashura, zhvillon konceptin e krijimit të rrjetit shoqëror të mbyllur në formë të ueb-faqes, e cila do të përmbante të dhënat private të studentëve të universitetit të Harvard-it. Gati në të njëjtin moment, përfshihet edhe gjenialiteti i tij rreth krijimit të atij rrjeti shoqëror me vjedhjen e identitetit nga baza e universitetit të të gjithë studentëve.
Vjedhja e të dhënave të studentëve më nuk shqyrtohet më vonë gjatë filmit, edhe pse jam i mendimit se ky veprim e ka përshpejtuar ndjeshëm tërë konceptin, sepse Marku nuk ka pasur nevojë të bëj vlerësimin e tregut dhe as marketing dhe promovim të ueb-faqes, por në mënyrë direkte ka siguruar përmbajtjen e ueb-faqes. Kjo tregon se nganjëherë në rrugën drejt suksesit, duhet përdorur edhe veprime të caktuara jo-morale.
Paratë nga huaja

Në dy faza të zhvillimit të Facebook-ut, atëherë miku i tij më i ngushtë, ia huazon 19 mijë dollarë për server-ët e Facebook-ut dhe për ekipin e njerëzve që punon në zhvillimin e tij. Këtu vërehet se ka kapital nuk është e mundur të bësh gjënë konkrete dhe të sigurosh investitorë, pa marrë parasysh se sa ajo ide është inovative.
Shifra e cekur ka siguruar zhvillimin e Facebook-ut deri në fazën përparuese, çka tregon se Marku dhe kolegët e tij nuk kanë shpenzuar kot, por tërë paratë i kanë drejtuar në zhvillim. Kjo tregon se nuk ka nevojë për 1 milion dollarë që të niset një biznes, por e rëndësishme është ideja kualitative dhe pakëz fat në rrugën drejt suksesit.
Nuk është prirë nga lakmia për marketing

Edhe pse Mark Zuckerberg-ut i kanë parashikuar një sukses të madh biznesi me Facebook-un, dhe i kanë thënë se Facebook-u dikur do të vlejë mbi një milionë dollarë (sot vlera e tij është rreth 75 miliardë dollarë), Marku nuk ishte prirë nga lakmia, por përkundrazi kishte insistuar në jo-komercializim derisa projekti të mos bëhej kualitativ që të mbahej në mënyrë të pavarur.
Ai ka refuzuar të vendoste reklama në ueb-faqe edhe pse ishin duke depërtuar dhe në atë kohë marketingu do t’u ndihmonte shumë. Kështu, ai i ka mbetur besnik idesë së tij, e cila i është shpaguar më vonë dhe atë me kamata shumë të larta. Kjo dëshmon se vizioni i mirë mund të siguroj përparim dhe përparësi në krahasim me konkurrencën.
Zgjedhja e bashkëpunëtorëve të duhur, jetike
Gjatë filmit zhvillohen një varg skenash të cilat tregojnë se pa bashkëpunëtorë kualitativ asnjë projekt nuk mund të ketë sukses. Pjesa e parë tregon të dhënat se Marku në zhvillimin e Facebook-ut ka përfshirë një varg programerësh kualitativ, ndërsa edhe ai vet me net të tëra ka punuar në programim.
Marku e ka vërejtur se nuk mund t’i bëj të gjitha vetëm dhe në idenë e tij të gatshme, në kohë të duhur ka përfshirë edhe persona shtesë, të cilët me krijimet e tyre e kanë ngritur Facebook-un në përmasat e tanishme. Ai i ka dëshuar bashkëpunëtorët dhe e ka ndryshuar emrin “TheFacebook” në formë më të shkurtër “Facebook”. Siç ka thënë edhe vetë Sean Parker në film: është më i pastër.
Është në pikëpyetje se sa filmi është i vërtetë, edhe pse dyshojmë se është plotësisht i rremë, por pa marrë parasysh se a e doni apo jo Facebook-un, duhet ta hiqni kapelën për Markun për insistimin e tij dhe për të gjitha ato që i ka bërë deri më tani, sepse po qe se ideja do të ishte e keqe, gjithsesi se nuk do të mbijetonte kaq gjatë. Është tjetër çështje se disa i parashohin fundin e shpejtë, por këta janë individë ekscentrikë, të cilët në këtë mënyrë duan vëmendje. Nëse nuk e keni shikuar filmin, gjithsesi ua sugjerojmë ta bëni këtë.
/zeri/kekompjuter/
Share this article :

Post a Comment

 
Support : Ke kompjuter channel | Ke kompjuter Twitter
Copyright © 2013. - All Rights Reserved
Published by Kekompjuter