Kompanitë “Apple” dhe “Samsung” janë rival të mëdhenj të cilët luftojnë për mbizotërimin në tregun e telefonave të mençur dhe të tablove dhe metodat e tyre të luftës për dominim në treg shpesh përfshijnë edhe akuza ndaj njëra-tjetrës rreth shkeljes së patentave dhe kopjimit të dizajnit.
Por, pa marrë parasysh në numrin e madh të akuzave dhe padive që i kanë ngritur në vende të ndryshme, këto kompani janë partnerë të afërt dhe “Apple” në pajisjet e saja shpesh përdor pikërisht komponentët e “Samsung-ut” dhe me këtë bashkëpunim njëherësh përfitojnë dy kompanitë.
Pjesët kryesore janë nga “Samsung”
Situata e këtillë është edhe me modelin e ri të iPad-it, dhe marrë parasysh që modeli i ri i “Apple-s” vetëm para disa ditësh doli në treg, ekipi i faqes “iFixit” e hapi atë duke ia hequr të gjitha pjesët kryesore dhe erdhën në përfundim që disa nga to janë pikërisht nga “Samsung”.
Kështu në këtë faqe pohojnë që shenjat në procesorin e ri që e shfrytëzon iPad-i zbulojnë që ai është prodhuar në fabrikat e “Samsung-ut”, ndërsa aduti kryesor i iPad-it të ri, është ekrani retinë i cili ka rezolucion 2048x1536 pikselë dhe për të cilin në “Apple” thonë që ka më shumë se një milionë pikselë sesa HD rezolucioni, dhe këtë e mundësoi pikërisht “Samsung”.
Përveç që “Samsung” do të fitojë shumë nga marrëveshja me “Apple”, kjo e dhënë “i gëzoi” investitorët kështu që mediet njoftojnë që për këtë është rritur edhe çmimi i aksioneve të “Samsung-ut”.
Fitojnë nga iPad-i i ri
Ditëve të fundit është shkruar shumë për furnizuesit e ekranit për iPad-in e ri, ndërsa mediet njoftuan që “Apple”, përveç me “Samsung”, do të bashkëpunojë edhe me “LG” dhe “Sharp”, por edhe përkundër këtyre fjalëve sipas “BBC-së” “Samsung” do të mbetet furnizuesi i vetëm.
Kështu tani e kemi situatën në të cilën “Apple” dhe “Samsung” bashkëpunojnë dhe përfitojnë bashkërisht në prodhimin dhe njëherësh edhe shitjen e modelit të ri të tablosë së “Apple-s”, ndërsa për disa javë këto kompani do të duhet të gjenden në gjyq ku objekt i padisë janë pikërisht tablotë.
Është interesante që së shpejti “Apple” dhe “Samsung” në tregun tablove do të mund të fitojnë konkurrentin e ri “Google-n”, i cili është duke përgatitur tablonë Nexus çmimi i të cilës pritet të jetë vetëm 149 dollarë./zeri/kekompjuter/
Post a Comment