Postimet e fundit :

Telefonat më “in” për momentin

Ndoshta shumë veta do të mbeten të befasuar me këtë listë të telefonave më të kërkuar për momentin në tregun botëror. Por, kjo renditje është bërë bazuar në kërkesën, shitjen e modeleve të caktuar.

Dhe nëse marka juaj e preferuar është nën ndonjë model kundërshtar kjo nuk është tragjike, ngase ndoshta së shpejti do të mund ta tejkalojë atë.

Ekspertët që e përpiluan këtë listë ofruan edhe karakteristikat për secilin model veç e veç si dhe u bënë “apel” të gjithëve që nëse dëshirojnë ndonjë telefon të mirë, atëherë këtë mund ta gjejnë në mesin e pesë modeleve më “in” për momentin.

Samsung Galaxy S2

Sipas përzgjedhjes së bërë telefoni më i kërkuar për momentin është Samsung Galaxy S2. Po njerëz… “Samsung”, dhe jo “Apple”. Me meritë apo jo, ky është realiteti. Samsung Galaxy S2 është i pari dhe i ka të gjitha ato që i duhen që ta mposhtë “Apple-n” dhe “HTC-në” të cilët e përcjellin në çdo hap.

Fitoren ia solli fakti që brenda vetes ka numrin më të madh të aplikacioneve, dhe i ka të gjitha performancat sikur edhe telefonat konkurrentë. Dhe çka është më e rëndësishmja, e tëra punon për mrekulli. Ky është model i përmirësuar i telefonit Samsung Galaxy të gjeneratës së parë.

Këtij telefoni i është përmirësuar tërë sistemi duke filluar nga kamera e pasme e cila është rritur nga 5 në 8 megapikselë dhe e para e cila tani posedon 2 MP. Procesori i cili është zëvendësuar nga një në dy bërthama sikur edhe ndërfaqja e përdoruesve e cila tani është me emërtimin TouchWiz 4.0 UI, “mbrojtësi” i fundit i “Samsung-it” nga “sulmet e pareshtura” të “Aplee-s” dhe “HTC-së”.

Cilado detyrë që i është vënë modelit S2, qoftë për qasjen në internet, navigacioni, mediet apo qasja në rrjetet shoqërore, Samsung Galaxy i zgjidhi pa asnjë problem. Pas miliona kopjeve të shitura, ky është “kompjuteri” i vërtetë multimedial, i cili mund të vendoset në xhep.

Mbështet të gjitha audio dhe video formatet duke përfshirë edhe “flash” integrimet. Për dallim nga “Apple” ky telefon nuk ka problem me sinjalin, dhe marrë parasysh që kjo është një garë ndërmjet telefonave kjo është gjëja kryesore.

iPhone 4S

Kur “Apple” e paralajmëroi modelin e tij të ri, pasardhësin e hitit të tij të quajtur iPhone 4, të gjithë natyrisht kanë pritur iPhone 5. Dhe gabuan. “Apple” e prezantoi modelin e ri me emrin iPhone 4S.

Paraqitja e versionit të ri të iPhone 4 la hapësirë të mjaftueshme që iPhone 5 ta shohë dritën pak më vonë, por njëherësh ky ishte prezantimi i versionit të përmirësuar gjeneratës së katërt të iPhone, edhe pse iPhone 4 edhe ashtu ishte i përkryer. Falë kësaj gjëje ky model u bë përsëri i kërkuar nga përdoruesit dhe falë kësaj u gjend në vendin e dytë.

Këtij modeli i është përmirësuar pjesa kryesore, dhe ky është procesori. Vendin e procesorit njëbërthamësh e zuri ai me dy bërthama së bashku me çipat e rinj, të cilët mundësojnë punë shtatë herë më të shpejtë të aplikacioneve.

Në këtë telefon është vendosur edhe Siri, mundësia e komunikimit nëpërmjet zërit, pra dhënia e komandave me zë dhe diktimi i tekstit. Kamera është rritur nga 5 në 8 megapikselë dhe kjo e posedon edhe detektimin e fytyrës dhe përmirësimin e fotografimit dhe incizimit në kushtet e shikueshmërisë së dobët.

Në krahasim me konkurrencën është e mundshme te kjo pajisje të vendosen 64 GB memorie dhe me këtë gjë fitohet kapaciteti si i një laptopi të prodhuar para 10 vjetësh.

HTC Sensation

Dhe kështu kemi arritur te vendi i tretë i kësaj liste të telefonave më të kërkuar për momentin. Telefoni HTC Sensation është pajisje dybërthamëshe, e cila në vete përmban të gjitha ato performanca më të mira që “HTC” në këtë moment mund t’i ofrojë.

I vënë në funksion nga Android 2.3 Gingerbread, ndërsa shpresojmë që së shpejti do të gjendet edhe Android 4 Sandwich Ice Cream, ky model secilin aplikacion e kryen pa asnjë gabim dhe sa çel e mbyll sytë.

Ekrani i madhësisë 10.9 centimetra ngjyrat dhe fotografinë e shfaq qartë dhe mprehtë në secilin detaj. Të gjitha audio formatet janë të mbështetura, ndërsa videot dhe fotografitë i realizon me kamerën 8 MP e cila është e ndihmuar nga blici.

Ndoshta bateria “vuan” nga të gjitha këto karakteristika, por kjo nuk paraqet asnjë problem që ky t’i kryejë të gjitha detyrat me sukses. Ky telefon ka një pamje, funksione dhe ergonomi të shkëlqyer, por fatkeqësisht ende për një nuancë është pas iPhone 4S dhe Samsung Galaxy S2.

BlackBerry Bold 9900

Ky version i përmirësuar i BlackBerry-t e zuri vendin e katërt. Kjo do të thotë që ky ka material më të mirë të shtëpizës, tastierës dhe ekranit. Me këtë model BlackBerry e përforcoi pozitën e tij të telefonit i cili është i përshtatshëm për shkrimin e porosive të të gjitha formateve.

Me versionin e fundit të shtatin me radhë të sistemit operativ të “RIM-it” ky telefon ka një të ardhme të ndritur dhe për një kohë pritet të jetë në majën e telefonave më të mirë.

BlackBerry prodhon telefona të dedikuar kryesisht për përdoruesit që merren me biznes, andaj ky është pra edhe i preferuari i biznesmenëve. I është përmirësuar kamera, është më i shpejtë interneti (edhe pse nuk është njëri nga më të shpejtët në treg) së bashku me aplikacionin NFC (Near Field Communication).

LG Optimus 3D

Prodhuesi “LG” e ofroi telefonin e parë në treg me ekranin 3D. Kjo definitivisht është “shpikje e nxehtë” për përdoruesit e dashuruar në lojërat e reja. Për disa gjë e shkëlqyeshme, për disa pajisje pa lidhje.

“HTC” e pa se modeli i këtillë me të madhe është duke u përhapur dhe duke u kërkuar në treg, andaj e hodhi në shitje modelin 3D Evo, por nuk arriti ta rrezikojë LG Optimus 3D, pra as ta tejkalojë. LG Optimus 3D është zgjedhje e vërtetë nëse dëshironi dimensionin e tretë në telefon.

Sa i përket perfomancave dhe asaj që e vë në funksion, ky telefon është në gjendje të ofrojë maksimumin, dhe pasi që në lojë është procesori dybërthamësh ai të gjitha i kryen pa problem.

Arsyeja se pse ky telefon u rendit i pesti është që 3D që e ofron nuk është e njëjtë si ajo që e shihni në kinema dhe i harxhohet bateria goxha shpejt. Pasi që me “HTC-në” është i vetmi në treg që ofron 3D-në në telefona, pritet që së shpejti të gjejë edhe përdorues të rinj dhe të ngjitet edhe më lart në listën e telefonave më të dëshiruar./zeri/kekompjuter/
Share this article :

Post a Comment

 
Support : Ke kompjuter channel | Ke kompjuter Twitter
Copyright © 2013. - All Rights Reserved
Published by Kekompjuter